Kumbulla i premton tifozëve të Romës se do të kthehet përsëri!

Nuk është se ka shkuar shumë larg, thjesht ka kaluar Adriatikun dhe është në grumbullim me kombëtaren shqiptare për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit. Gjithsesi, Marash Kumbulla u drejtohet tifozëve të Romës sikur të ketë shkuar në “fund të botës” duke shkruar në Instagram: “Romanistët e mi, do ta shohim shpejt përsëri njëri-tjetrin. Faleminderit Roma!” Mbrojtësi shqiptar i qendrës bën një bilanc të sezonit duke e cilësuar të suksesshëm, e duke thënë se vuajti shumë për të fituar besimin e trajnerit, për të fituar çdo minutë në fushë. Ai gjykon se fitorja e Ligës së Konferencës duhet quajtur një sukses. Vetë Roma synon që ta mbajë Kumbullën, ashtu si edhe Zalevskin, ndonëse qendërmbrojtësin 22-vjeçar e kërkojnë disa skuadra në Serinë A si Bolonja dhe Sampdoria, ndërsa në janar e kërkonin Fiorentina e Torino.

Sfidanti.al