Luis Rubiales është sërish i lirë të mbajë poste drejtuese në institucionet e futbollit, pasi ka përfunduar pezullimin trevjeçar të vendosur nga FIFA për skandalin e puthjes pa pëlqim ndaj futbollistes Jenni Hermoso gjatë festimeve për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës për femra në vitin 2023.
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit e mbylli zyrtarisht periudhën e ndëshkimit më 17 nëntor 2026. Ngjarja që tronditi futbollin botëror shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare dhe çoi në dorëheqjen e Rubiales nga drejtimi i Federatës. Pezullimi trevjeçar ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe Gjykata Administrative e Sportit në Spanjë. Përveç veprimit ndaj Hermosos gjatë ceremonisë së medaljeve, autoritetet disiplinore morën në konsideratë edhe sjelljen e tij gjatë festimeve në tribunë, përpara mbretëreshës Letizia dhe princeshës Sofia.
Një tjetër element rëndues ishin presionet e ushtruara nga Federata Spanjolle ndaj futbollistes, me qëllim që ajo të deklaronte se puthja kishte qenë me pëlqimin e saj. FIFA vlerësoi se Rubiales kishte shkelur dy nene të Kodit të Sjelljes, që lidhen me standardet e sjelljes dhe mbrojtjen e imazhit të futbollit.
Megjithatë, përfundimi i pezullimit nuk nënkupton një rikthim të menjëhershëm të tij në drejtimin e futbollit. Gjatë prezantimit të librit të tij, Rubiales kishte bërë të qartë se nuk kishte ndërmend të rikthehej në nivelet e larta drejtuese. “Nuk po kërkoj të rikthehem në futboll, dua vetëm të rifilloj të punoj i qetë”, ishte shprehur ai.
Ndërkohë, emri i ish-presidentit vazhdon të jetë i lidhur edhe me hetimet për menaxhimin e Federatës Spanjolle dhe çështjen e transferimit të Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Në qendër të kësaj dosjeje është edhe komisioni prej miliona eurosh që iu njoh Gerard Piqué-së për ndërmjetësimin e marrëveshjes. Kështu, edhe pse Rubiales ka përfunduar dënimin sportiv, polemikat dhe çështjet që kanë shoqëruar periudhën e tij në krye të futbollit spanjoll mbeten ende të hapura.

