Ndarja mes Joana Sanz dhe Dani Alves është shoqëruar me akuza të forta dhe deklarata të ashpra. Modelja spanjolle nuk e ka fshehur zemërimin ndaj ish-bashkëshortit, duke e akuzuar për mungesë mirënjohjeje dhe duke kujtuar gjithçka që bëri për të gjatë periudhës kur ai ndodhej në burg. Reagimi i saj erdhi pasi Alves, tashmë i angazhuar në predikimin e besimit ungjillor, deklaroi gjatë një vizite në Guatemalë se Jezusi ishte i vetmi që i kishte qëndruar pranë kur të tjerët e braktisën. Këto fjalë kanë revoltuar Joana Sanz, e cila përmes një mesazhi në rrjetet sociale i kujtoi ish-futbollistit mbështetjen që i kishte dhënë në momentet më të vështira.
“Çfarë guximi ke të thuash publikisht se vetëm Jezusi të qëndroi pranë! Unë e mbajta brenda dhimbjen time, sepse mendoja se ti ishe në një situatë edhe më të vështirë. Nuk mund të të mohoja pak qetësi sa herë që më telefonoje”, shkroi modelja. Ajo zbuloi gjithashtu se kishte kaluar Krishtlindjet me Alves-in, megjithëse mund të kishte zgjedhur të qëndronte pranë familjes së saj. Për më tepër, pretendon se kishte përdorur paratë e veta për të paguar faturat dhe borxhet e ish-futbollistit.
“I bëra të gjitha këto pasi më kishe shkatërruar plotësisht dhe, për më tepër, më the që t’ia dilja vetë”, vijoi ajo në reagimin e saj. Modelja nuk u ndal me kaq, duke theksuar se kishte lënë mënjanë dhimbjen dhe interesat personale për t’i dhënë Alves-it hapësirën dhe mbështetjen që kërkonte. “U tërhoqa për të të dhënë hapësirë, edhe pse ti ishe personi i fundit në planet që meritonte ndonjë mbështetje apo mirësi nga unë. M’u desh shumë kohë për ta kuptuar, por më mirë vonë se kurrë”, përfundoi Sanz.
Ndarjen e kishte konfirmuar vetë modelja një ditë më parë, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në Instagram. E pyetur nëse e shoqëronte Alves-in në takimet fetare që ai frekuenton pas konvertimit, ajo u përgjigj se nuk është besimtare dhe se sjelljet e ish-futbollistit e kanë larguar gjithnjë e më shumë prej tij. “Prej kohësh jemi të ndarë, pikërisht për këtë arsye”, sqaroi ajo.
Dani Alves ishte dënuar fillimisht me katër vite e gjashtë muaj burgim për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë, për një ngjarje të ndodhur në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, në mars të vitit 2025, gjykata e apelit anuloi vendimin e dënimit. Kështu, pas nëntë vitesh martesë, marrëdhënia mes Alvesit dhe Joana Sanz duket se ka marrë fund mes zhgënjimit, akuzave dhe një histori

