Lara Colturi ngjitet në krye të Kupës së Botës

Lara Colturi po e nis në mënyrën më të mirë sezonin e ri të Kupës së Botës në ski. Dy vendet e dyta të arritura në dy garat e para të këtij edicioni e kanë ngjitur skiatoren shqiptare në krye të renditjes së përgjithshme, ku aktualisht ndan vendin e parë me gjermanen Emma Aicher. Të dyja sportistet kanë grumbulluar nga 160 pikë, ndërsa në vendin e tretë renditet amerikania Paula Moltzan me 100 pikë.

Aicher dhe Moltzan janë fitueset e dy garave të para sezonale, të zhvilluara në pistat e Soelden dhe Levi, por në të dyja rastet Colturi ka përfunduar menjëherë pas tyre, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon. Skiatorja kuqezi ka qenë shumë pranë suksesit të parë në karrierën e saj në Kupën e Botës, por rezultatet e deritanishme janë një tregues i qartë i konkurrueshmërisë së saj në nivelet më të larta. Vetëm dy ditë më parë, Colturi festoi 20-vjetorin e lindjes, duke e shoqëruar këtë moment me një tjetër arritje të rëndësishme sportive.

Vëmendja tashmë zhvendoset te gara e radhës, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë në pistën austriake të Gurgl, në disiplinën e slallomit. Colturi do të kërkojë të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive dhe të mbrojë pozitat në krye të klasifikimit, me synimin për të luftuar për fitoren e parë në këtë sezon të Kupës së Botës.