“Ne fitojmë sepse kemi shumë para”. Kjo ishte një përgjigje, gjysmë ironike, por edhe gjysmë serioze e Pep Guardiolës kur u pyet se përse Mançester Siti ishte kaq i fortë. Trajneri katalanas deshi të theksonte se përveç parave ishte puna e tij dhe e lojtarëve që siguronte suksesin, veçse shumë trajnerë e lojtarëve mund të punojnë shumë, por nuk i kanë paratë që ka ai, pra nuk mund të marrin përforcime e të kenë dy skuadra të gatshme në organikë.
Kjo “ofensivë financiare” duket se do të vazhdojë pasi mediat angleze shkruajnë se Siti është gati të shpenzojë 100 milionë paundë stërlina për kapitenin e Aston Vilës, Xhek Grelish, dhe 150 milionë paundë stërlina të tjera për kapitenin e Anglisë dhe yllin e Totenhemit, Harri Kejn. Pyetja që të vjen në mendje menjëherë është: Ku i gjejnë sheikët 250 milionë paundë stërlina në një vit kaq të vështirë pandemie, dhe kur UEFA ka kufizime që quhen “Lojë e Ndershme Financiare”? Siti e fitoi një gjyq me UEFA-n në KAS-in e Lozanës, por kjo nuk e shpjegon mekanizmin sesi mund të shpenzosh kaq shumë dhe të respektosh “Fair Play”-n!
Sfidanti.al