Kros beson tek vullneti i mirë: Na jepni rroga të plota, bëjmë bamirësi!

Kur pagën e ke 11 milionë euro në vit, padyshim që mund të ndihesh shumë i qetë, dhe të flasësh për filozofinë e ndjenjës së mirë për njerëzimin. Një njeri si Toni Kros ka qenë aq fatlum sa “t’ia hedhë” varfërisë apo vrapimit të përjetshëm për të siguruar jetesën personale e familjare, aq sa të vlerësohet sot edhe si “analist mbi krizën”. Thelbi i asaj që kërkon mesfushori gjerman i Realit të Madridit është që të lihet në dorë të lojtarëve mënyra sesi do të veprohet me paratë e tyre në këtë kohë koronavirusi.

“Shkurtimet e rrogave janë diçka pa vlerë, pa ndikim, – shprehet ai, – lojtarëve u duhet dhënë rroga e plotë, dhe ata do të bëjnë vetë bamirësi me paratë e tyre”. Me gjasë kjo mund të ndodhë, por kemi parë se nuk kanë bërë më shumë sesa 500 000 apo 1 milionë euro (maksimumi), ndonëse marrin 10 apo 20 fish aq. Gjithsesi, Krosi nuk mund ta kuptojë një punonjës që merr, p.sh. 1 500 euro apo më pak në Spanjë e në Itali, sidomos në një kohë rritjeje çmimesh, kur shpenzimet janë tepër të mëdha për dezinfektim, distancim dhe siguri. i pavdekshmi Çarli Çaplin, njeriu që i provoi të dy botët, edhe të varfrën, edhe të pasurën, arriti në përfundimin se “kur arrin nivelin që i shkëputesh nevojësh, jeta është e bukur”. E bukur, edhe për Krosin.

Sfidanti.al