Kristiano Ronaldo “paraqitet në forcë” sot, shpejt nis stërvitja në fushë!

Sinjalin ia dhanë dhe e mori urdhërin. Edhe një superyll si Kristiano Ronaldo e di se futbolli nuk ka demokraci kur vjen puna te programimi i sezonit të skuadrës, ndaj ai u bë gati për të fluturuar sot me avion nga Madeira drejt Torinos, e për t’u paraqitur nën komandën e trajnerit Mauricio Sarri. Juventusi i ka pasur në qytet lojtarët italianë, ndërsa ka thirrur edhe të huajt, që janë shpërndarë nëpër botë nga frika e koronavirusit.

Ronaldo vjen nga Portugalia, Dibala e Higuain që nga Argjentina, e kështu edhe të tjerët si Pjaniç, Shezni apo De Ligt. Sipas planifikimit, skuadrat e Serisë A do të nisin stërvitjen në 18 maj, ndërsa në një kohë të mëvonshme duhet të fillojë kampionati, ndonëse ende nuk është e sigurt se kur mund të nisë, dhe nëse do t’ia dalë që të luhet. “Seria A do të fillojë vetëm atëherë kur gjithçka të ketë siguri të plotë”, – janë fjalët e kryeministrit Xhuzepe Konte.

Sfidanti.al