Kritikat gjatë sezonit ishin të shumta, sidomos gjatë periudhës kur asgjë nuk po ecte mirë në kampionat, pra deri në dimër. Sulmet ishin nga mediat, por kritika pati edhe nga brenda klubit. “Kjo skuadër meriton respekt, – tha trajneri francez në konferencën para Hueskës duke shkaktuar tronditje, – unë kërkoj vetëm që të na lini të punojmë. Mos harroni se ky ekip fitoi një titull në La Liga pak muaj më parë”. Vazhduan ndeshjet dhe Realit e mori veten, barazoi në fushën e Atletikos, fitoi ndaj Barcelonës në Madrid dhe kaloi Liverpulin në Champions, duke treguar se nuk do të dorëzohej.
Gjithsesi, mjaftoi ndeshja e dytë në Londër ndaj Çelsit për të nisur historinë. Zidan hodhi në fushë 3 lojtarë që vinin nga dëmtimet si Ramosi, Hazar dhe Mendi, të cilët nuk e përballuan ritmin e anglezëve. Eleminim me meritë 0-2 dhe, Zizuja u informua për kritikat e ashpra brenda klubit. Mediat spanjolle tregojnë se ky ishte momenti që e mbushi kupën, ndonëse presidenti Florentino Perez u përpoq që ta bindte për të vazhduar. “Do të largohem, – ishte përgjigja e francezit, – kjo është e vendosur”. Gjithsesi, nuk ia tha njeriu me përjashtim të familjes dhe miqve më të besuar. Kuptohet, Perezi e dinte, ndërsa e mërkura shkaktoi habi kudo në Spanjë dhe në Europë. Historia me Zidanin u përsërit, ashtu si në 2018.
Sfidanti.al