Krenaria e Napolit mund Juventusin, por arrin finalen e Kupës!

Napoli luajti një tjetër ndeshje të madhe ndaj Juventusit, por sërish provoi se çdo të thotë të kesh një stol të vogël. Me Elseid Hysajn në formacion dhe me treshen e shkëlqyer të sulmit, Hamshik-Insinje-Mertens, skuadra e trajnerit Sarri sulmoi pa pushim, pavarësisht nga rezultati, dhe në fund fitoi 3-2 ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Natyrisht, nuk i bëri punë përderisa ishte mundur 1-3 në Torino, por krenaria napolitane dhe e tifozëve mbeti e paprekur.

Stadiumi “San Paolo” ishte një vullkan për 90 minuta, plus shumë minuta shtesë, ndërsa Gonzalo Higuain ishte fiks në formën që kishte vjet, me fanelën e Napolit. Për fat të keq, sulmuesi argjentinas i Juventusit golat sikur i ka ruajtur për ish-ekipin e tij. Shënoi të parinn (0-1) në 32’, pastaj të dytin (1-2) në 59’. Hamshik barazoi fillimisht për vendasit në 53’, pastak Mertens shënoi golin e barazimit tjetër në 61’, dhe Insinje plotësoi treshen e “tenorëve” me rrjetën e avantazhit në 67’.

Edhe pse krijoi dyfishin e rasteve të Juventusit, Napoli nuk e arriti dot kualifikimin përballë një ekipi që mund t’i lejojë vetes të mbajë në stol lojtarë të rëndësishëm dhe të luajë me titullarë si portierin Neto, Dani Alveshin, Rinkonin apo Sturaron. Në finale do të kemi një Juventus-Lacio, ndërsa Napoli dhe Roma e mbyllën këtu.

Sfidanti.al