Çelsi fiton me Mançester Sitin, Totenhemi përmbys në mënyrë të pabesueshme në fushën e Suonsit, Liverpuli prish gjithçka me duart e veta në “Anfild”. Këto ishin tri përgjigjet e ndeshjeve të sotme të Premier Ligës. Kryesuesit e vazhduan turravrapin drejt titullit me suksesin 2-1 ndaj një rivali të vërtetë. Golat u shënuan në pjesën e parë, fillimisht nga Hazar, pastaj nga Kun Aguero dhe sërish nga Hazar pasi humbi penalltinë. Blutë e Kontes kanë 72 pikë, 7 më shumë se Totenhemi kur duhen edhe 8 ndeshje për t’u luajtur.
Totenhemi po bën një nga kampionatet më të mëdhenj të historisë së tij. Trajneri Poçetino e meriton epitetin mjeshtër me skuadrën që nuk dorëzohet kurrë. Ishte 0-1 deri në minutën e 88-të në fushën e Suonsit, por aty bëri përmbysjen. Del Ejli, Kristian Eriksen dhe Son Heung-Min ishin autorët.
Liverpuli bëri me zemër gati 55 000 shikues në “Anfild” dhe trajnerin Klop. Pa sulmuesin kryesor, Sadio Mane, pësoi gol nga Bornemuthi (Afobe 7’). Reagoi fort, përmbysi rezultatin me golat e Kutinjos dhe Origit, ndërsa e mbylli ndeshjen me 67 për qind zotërim topi, 20 gjuajtje drejt portës ndaj 6 të kundërshtarit dhe 8 gjuajtje në kuadrat ndaj 2 të Bornemuthit. Por, përfundimi ishte 2-2. Dy herë e futën topin në kuadrat miqtë, dy herë shënuan. Liverpuli sërish mund të shkojë në Champions (është i treti me 60 pikë), por po vuan shumë me ekipet e ashtuquajtur të vegjël.
Sfidanti.al