Kur kanë mbetur edhe 2 gara deri në fund të Kampionatit Botëror, mundësia për t’ia dalë u shua. Ljuis Hamilton nuk do të mundet të synojë barazimin e një rekordi të Mikael Shumaherit për shkak se doli pozitiv me koronavisur.
Kampioni i botës në fuqi, u testua i infektuar një ditë më parë në Bahrein, pas Çmimit të Madh të radhës në Formula 1 dhe nuk do të mund të marrë pjesë në dy garat e fundit të sezonit. Rekordi që anglezi synonte të barazonte ishte ai i 13 fitoreve në një sezon, vendosur në 2004 nga Mikael Shumaheri me Ferrarin. Pas suksesit në Bahrein, 35-vjeçari arriti në 11 fitore në edicionin e këtij viti, dhe nëse do të fitonte dy garat e mbetura, do të arrinte edhe ai në 13. Kjo gjë tani nuk mund të ndodhë, ndërsa Hamiltoni është i izoluar në një dhomë hoteli. Ai ka simptoma të lehta, por sipas njerëzit të tij të afërt, është shumë mirë me shëndet.
Garat e mbetura janë po në Bahrein të dielën e ardhshme, si dhe në Abu Dabi. Hamiltoni barazoi rekordin e madh të Shumaherit me 7 tituj botërorë në karrierë, si dhe theu rekordin e fitoreve, ndërsa rekordin e pikëve dhe të vendeve të para në prova i kishte thyer që më parë.
Sfidanti.al