Konte i tërbuar, Çelsi shpejt ndaj Liverpulit, pas “kalvarit” në Baku

Rreth 4 000 km për të shkuar, dhe 4 000 km për t’u kthyer. Do të thotë 8 000 km për Çelsin, dhe kjo është kostoja për ndeshjen e Championsit ndaj Karabakut të Ansi Agollit, në Champions. Londinezët udhëtuan gjithsej 11 orë mes të martës dhe të mërkurës në darkë, ndërsa Federata Angleze as nuk deshi të dinte për të ndryshuar datën e ndeshjes ndaj Liverpulit, që është planifikuar të shtunën në orën 18:30. Kjo do të thotë se Çelsi ka në dispozicion vetëm një ditë të plotë, të premten, për t’u përgatitur për këtë takim-kyç në Premier Ligë.

“Jam i habitur sepse është e dyta herë që na ndodh këtë sezon, – thotë trajneri i bluve, Antonio Konte, – herën e parë ndodhi njësoj, kur u ndeshëm me Mançester Sitin, erdhëm në Londër në orën 5 të mëngjesit të së enjtes, dhe të shtunën luajtëm takimin. Vetë Siti e kishte luajtur ndeshjen e vet në Champions, një ditë më parë. Po kështu, ndodh edhe me Liverpulin. Do ta kemi të vështirë të shlodhemi dhe të marrim veten fizikisht dhe mendërisht 100 për qind”.

Udhëtimi i Çelsit drejt Bakusë vendosi edhe rekordin e largësisë që iu është dashur londinezëve të përshkojnë për të luajtur një ndeshje në Europë. Rekordi i mëparshëm ishte 3513 km, për takimin në fushën e Makabit të Tel Avivit. Bakuja, kryeqyteti i Azerbajxhanit, teknikisht është në Europë, por ka mjaft qytete jashtë Europës që janë më afër Londrës, si p.sh. Algjeri i Algjerisë, Tripoli i Libisë, Beiruti i Libanit, Kairo i Egjiptit apo edhe Mosuli në Irakun Verior.

Sfidanti.al