Një ekip që fiton 3-0 ndaj Shahtarit të Donjeckut nuk është dokudo dhe ky sukses nuk ndodh çdo ditë. Skuadra e madhe ukrainase u mposht me këto shifra në një “San Paolo” pa publikun e shumtë të zakonshëm, dhe gjithë Europa që e do futbollin “lutet” që “partenopeët” të arrijnë të kualifikohen. Golat e Insinjes, Zielinskit dhe Mertensit i dhanë epërsinë Napolit ndaj ukrainasve, nëse do të duhet të llogariten ndeshjet direkte, por momenti punon kundër italianëve.
Napoli duhet të fitojë në Holandë dhe Shahtari të mundet në fushën e vet nga Mançester Siti, që është i kualifikuar me 15 pikë të plota. Nëse ukrainasit marrin qoftë edhe një pikë, nuk do të vlejë as trimëria napolitane pikërisht ndaj Donjeckut, dhe as “trimëria” tjetër që mund të ndodhë në fushën e Fejënordit. Kombinime aspak të favorshme, por Insinje dhe trajneri Sarri nuk dorëzohen. “Ne ende besojmë”, – thotë Insinje. “Nuk e dorëzojmë Championsin”, – pohon edhe Sarri, por fati i Napolit nuk është në dorën e vetë Napolit. Një gjë është e sigurt, nëse napolitanët eleminohen, Europa do të dëshpërohet më shumë sesa nga eleminimi i Italisë nga Botërori.
Sfidanti.al