Kajri Irving si Lerri Bërd, Lavdia Boston duket se ka gjetur yllin

Asnjë lojtar i Boston Sëlltiksit nuk kishte shënuar më shumë se 45 pikë në një ndeshje me saktësi në gjuajtje 70 për qind që nga viti 1989. Në 10 nëntor të atij viti, gati 28 mote përpara, legjenda Lerri Bërd ishte i fundit që ia kishte dalë, dhe tani “bëmën” e tij e përsëriti Kajri Irving në fushën e Dallasit, që realizoi 47. “Shpëtimtari” i ardhur nga Klivlendi, premton shumë dhe tifozët e klubit më të famshëm të NBA-së, ëndërrojnë po shumë.

Boston Sëlltiks ka qenë dhe mbetet një lavdi e madhe e basketbollit amerikan. Klubi ka 17 tituj të ndarë nëpër epoka të ndryshme. Së pari në vitet 50-60-të me trajnerin e madh Red Auerbah, dhe me liderin Bill Rasëll (11 herë kampion i NBA-së, rekord). Rasëll kishte në krah Bill Kouzin dhe Tomi Heinsonin.

Në vitet 70-të ishte dyshja Dejv Kouens-Tomi Heinson (dy tituj kampion), ndërsa në vitet 80-të ishte treshja e famshme Lerri Bërd-Kevin Mekheil-Robert Parish, që fitoi 3 tituj, ndërsa më pas u desh të kalonin shumë kohë që, në 2008-ën, të fitohej titulli i fundit, nën drejtimin e treshes Pol Pirs-Rej Allen-Kevin Garnet.

Për momentin, Irving duket i vetëm, por Sëlltiks i ka besuar lojtarëve të rinj. Jabusele është 21 vjeç, Tatëm është 19, Bërd, Smart, Rozier dhe Ojeleje janë të gjithë nga 23, Alen është 24 vjeç, ndërsa Braun vetëm 21. Vetë Irving është ende tepër i ri, 25 vjeç, pra klubi i famshëm po ndërton dinastinë e ardhshme, ndonëse do të duhet të thyhen të tillë si Kërri-Durant të Golden Stejtit, Lebron Xhejms i Klivlendit apo Xhejms Harden i Hjustonit për të arritur tek titulli.

Sfidanti.al