Konte: Po shembim një mbretërim që zgjat prej 9 vjetësh!

Nuk është si Zhoze Murinjo, kuptohet, dhe nuk cimbis kolegët, edhe pse në momente të veçanta krenaria dhe vetëvlerësimi arrijnë nivele maksimale. “Që të hysh në historinë e këtij klubi duhet të fitosh, – ishin disa nga fjalët e Antonio Kontes pasi Interi i tij triumfoi 2-0 në fushën e Krotones, – ndryshe, mbetesh një nga të shumtët”. Një mungesë respekti ndoshta pa dashje, kur kështu thumbohet Spaleti, Benitezi apo ndonjë trajner tjetër, si dikur Hektor Kuper apo Xhixhi Simoni, të cilët u përpoqën shumë të fitonin, por nuk ia dolën.

Gjithsesi, janë ditët e Kontes. “Jemi duke shembur një mbretërim që zgjat prej 9 vjetësh, – shtoi ai, duke iu referuar Juventusit, – ky kampionat që po zhvillojmë është fryt i një pune të madhe, i një rritjeje të madhe në çdo aspekt, në lojë dhe mentalitet. E kuptuam se mund ta fitonim titullin dhe të hynim në histori. Me Juven ishte e vështirë kur dolëm kampion duke lënë pas Milanin e Ibrës, Nestës e Tiago Silvës, por me Interin bëra zgjidhjen më të vështirë”. Interi del kampion nëse Atalanta nuk fiton sot. Cikli shpresohet të vazhdojë pasi edhe Bepe Marota deklaroi se nuk do të kthehet tek Juventusi.

Sfidanti.al