Konte lavdëron Interin, por numëron: Kemi edhe 14 ndeshje!

Kur një ekip fiton, ai lavdërohet ndonëse mund të ndodhë që brenda asaj fitoreje të jetë duke u mbrujtur një humbje. Nuk është ky rasti i Interit të Kontes në këtë moment, por trajneri kuqezi e di sesa pak e ndan suksesin nga dështimi në futboll. Për këtë arsye, ai edhe e lavdëron ekipin e tij për fitoren 3-0 me Xhenoan, edhe i hedh ujë zjarrit në zemrat e futbollistëve të tij. “Ne luajtëm dhe fituam ndaj një skuadre që ishte në formë shumë të mirë, dhe që kohët e fundit kishte fituar vetëm 1 pikë më pak se ne, – theksoi tekniku, – e luajtëm siç duhet, patëm dëshirën që duhej, dhe toleruam vetëm në ndonjë krosim. U treguam shumë të zotë që shënuam 3 gola, dhe Perin (portieri gjenovez) shpëtoi raste të pastër”.

Konte thotë se gjithçka po vjen për shkak të punës që po kryhet, e cila “është kryer edhe sezonin që kaloi, por vetëm tani skuadra ka besim të plotë në forcat e veta”. Gjithsesi, ai shton se “edhe pse po piqemi gjithnjë e më shumë, duhen edhe 14 ndeshje deri në fund, dua që të pres edhe ndeshjen ndaj Parmës, dhe t’i mbajmë antenat lart deri në fund nëse dëshirojmë vërtetë të bëjmë diçka të rëndësishme”. Njeriu i stolit ngacmohet për ndonjë “pakt” pas eleminimit nga Championsi. “Jo, – tha ai, – nuk pati pakt, vetëm u pamë sy më sy dhe e kuptuam. Eleminimi ishte i padrejtë, por ne e dimë se tek Interi luhet vetëm për të fituar”.

Sfidanti.al