Konte: Ky, një nga sukseset më të mëdha në karrierë!

Nuk ka bërë pak, ndërsa ka fituar si lojtar dhe si trajner. Me këpucët me thumba fitoi 5 tituj kampion me Juventusin, si dhe Championsin në 1996, Kupën UEFA, Kupën Interkontinentale dhe katër Superkupa të Italisë. Si trajner e nisi modestisht si kampion i Serisë B me Barin, fitoi 3 tituj radhazi me Juventusin në 2012-2014 si dhe dy Superkupa të Italisë, me Çelsin fitoi Premier Ligën dhe Kupën e Anglisë, ndërsa me Interin pasi humbi vjet finalen e Ligës së Europës, fitoi titullin në Serinë A. Janë 5 tituj kampion si trajner, që i shtohen 5 si lojtar, por Antonio Konte është shumë i qartë.

“Ky është një nga sukseset më të rëndësishme të karrierë sime, – thotë ai, – nuk ishte zgjedhje e lehtë të vija tek Interi ku skuadra nuk ishte gati për të fituar trofe të mëdhenj. Sfidën e pranova me dëshirë të madhe dhe shpresoj që me punën që kemi bërë na janë shpërblyer të gjitha sakrificat. Nuk dua të mendoj për të ardhmen në këtë moment, le të shijojmë këtë titull. Jemi të lumtur pas dy viteve pune të lodhshme”.

Sfidanti.al