Ndoshta si trajner nuk pati (ende) një karrierë të madhe, por as nuk dyshon kush se ai ishte një nga sulmuesit më të mirë të botës sa kohë dilte në fushë. Jurgen Klinsman, kampion i botës në 1990 dhe kampion i Europës në 1996 të dyja me Gjermaninë, është një njeri që i dëgjohet fjala kur flet për rolin që e njeh mirë, ndaj edhe Erling Halandi nuk bën keq që ta dëgjojë. Klinsi, i intervistuar nga televizioni amerikan “ESPN”, deklaroi se gjykon që Halandi të mos largohet nga Dortmundi këtë verë.
“Unë shpresoj me të vërtetë që ai të qendrojë, – tha gjermani, – shpresoj që të ketë edhe një sezon tjetër në Dortmund që të zhvillohet edhe më shumë. Po ashtu, shpresoj që Borusia ta mbajë sepse është një klub i madh dhe ka nevojë për lojtarë të mëdhenj”. Agjenti i Halandit, Raiola, si dhe babai i tij, po bëjnë turne në Europë për të gjetur ekipin e ri, ndërsa Dortmundi kërkon shumë më tepër se 100 milionë euro (ndoshta 180), ndërsa në 2022, 20-vjeçari do të ketë klauzolë për largimin, që thuhet se është 70 milionë euro, por thuhet edhe që është 100 milionë.
Sfidanti.al