“Djalli” nuk paska gjithnjë të njëjtën fytyrë. Këtë po e mësojmë në Itali, ku zakonisht “djalli” ka qenë Milani(madje i tillë u tregua dy herë ndaj kampionëve), veçse më në fund këtë maskë e vendosi Juventusi. Në një çerekfinale tepër të fortë në stadiumin “Juventus” të Torinos, piemontezët ia dolën 2-1, duke siguruar gjysmëfinalen ndaj Napolit. Një e djathtë e Paulo Dibalës dhe një goditje dënimi mjeshtërore e Miralem Pjaniçit bënë që të zotët e shtëpisë ta shfrytëzonin siç duhet faktorin fushë.
Milani, gjithsesi, nuk mund të mos ishte aspak “djall”. i vënë me shpatulla pas muri, dhe me rezultate jo të kënaqshme në kampionat, skuadra e trajnerit Vinçenco Montela i bëri thirrje krenarisë së saj, duke e vënë në vështirësi të madhe kundërshtarin më cilësor. Karlos Baka rihapi rezultatin në 1-2 në minutën e 63-të, veçse milanistët u goditën me kartonin e kuq ndaj Lokatelit. Kjo nuk ia preu hovin miqve, që bënë përshtypje të madhe duke luajtur shkëlqyeshëm 10 vetë kundër 11-ve.
Sfidanti.al