Nuk ka “fusha më të minuara” sesa ato të kupave të Anglisë. Qoftë ajo e vjetra e Federatës, qoftë ajo e reja, e Ligës, të dyja “hanë koka” gjigandësh pambarim. Në “gijotinë” përfundoi edhe Liverpuli, skuadra favorite për të shkuar në “Uembli” dhe për të luajtur finalen e Kupës së Ligës, me shumë gjasa ndaj Mançester Junajtidit. As mos t’i shkonte kujt ndërmend! Trajneri Jurgen Klop e pranoi që ndeshja e parë ndaj Sauthemptonit mund të kishte shkuar shumë më keq sesa 0-1, ndërsa mbeti me shpresë për mbështetjen në “Anfild”. Humbja në Liverpul me Suonsin në Premier Ligë ishte një paralajmërim se çfarë mund të ndodhte, por vendasit nuk mundën të ndreqnin asgjë,.
Sauthemptoni luajti më mirë edhe në shtëpinë e Liverpulit, pati raste për shënim, ndërsa të kuqtë u zgjuan në pjesën e dytë. Portieri Forster bëri një pritje të madhe, ndërsa të besuarit e Klopit patën pretendime (besohet me të drejtë) për një penallti. Pikërisht lojtari që u duk se e preku topin me dorë, Shejn Long, shënoi në sekondat e fundit golin e fitores së dytë të merituar të miqve që do të luajnë finalen e madhe në “Uembli”.
Sfidanti.al