Nuk është hera e parë që i ndodh kësaj skuadre, përkundrazi. Mjafton të kujtojmë sezonin e kaluar për të kuptuar se La Liga nuk është një turne shumë “miqësor” për Realin, ndërsa dështimet e tij spanjolle janë mbuluar nga triumfet e mëdha europiane në Champions. Për dreq, duket se Madridit të Hulen Lopetegit nuk po i ecën askund, ndërsa atij të Zidanit të paktën i ecte në kontinent.
Ndeshja e humbur në fushën e Alaveshit ishte e katërta radhazi pa fitore, madje pa shënuar gol. Për më keq, rezultatet janë të tilla: 0-3 në fushën e Seviljes, 0-0 në “Bernabeu” në derbin ndaj Atletikos, 0-1 në Moskë ndaj CSKA-së në Champions, dhe 0-1 në fushën e Alaveshit në La Liga.
A mund të ketë më keq se kaq? U fol se trajneri i Barcelonës, Valverde, rrezikonte shkarkimin, por kompanitë e basteve me siguri japin favorit për “t’u djegur” pikërisht Lopetegin. Ronaldo është larguar, ndërsa tek Barça “rimorkiatori” Mesi vazhdon të jetë, madje është bërë kapiten.
Sfidanti.al