“Rezistenca” e Murinjos, një kampion nuk dorëzohet pa luftë

A nuk ishin ata lojtarët që nuk e donin trajnerin e tyre? Ndaj Njukasëllit, për Mançester Junajtidin shënuan pikërisht ata futbollistë që mediat I kishin etiketuar si “anti-Murinjo”, Huan Mata, Antoni Marsial dhe Aleksis Sançez. Golat e tyre bënë që “djajtë e kuq” të realizonin një përmbysje të madhe, që bëhet edhe më e bujshme për momentin kur u arrit, në ndeshjen që mund të kthehej në “goditjen vrasëse” për Zhoze Murinjon.

Trajneri I famshëm është padyshim ende në pozita delikate, me një fitore në 5 ndeshjet e fundit, dhe me skuadrën e tij tepër pak pretendente për trofe, por gjithsesi ai mbetet një “trim” që “edhe I vetëm shkon në luftë”. Murinjo do të jetë gjithnjë gati të luftojë ndaj gjithë botës, mjaft që të mos pranojë të jetë I mundur, edhe kur mund të ketë bërë gabime e faje sa të duash.

Në “Old Traford”, siç shkruan një analist britanik I futbollit “ai ka djegur shumë ura”, pra është prishur me shumë njerëz, lojtarë e drejtues, duke mos kursyer askënd me deklaratat e tij. Portugezi duket sikur me çdo mënyrë e ka provokuar një reagim të klubit apo të lojtarëve që ai nuk I do, por deri tani e ka mbajtur postin. Gjithsesi, ky nuk është Murinjo I kohëve të Portos, të epokës së parë të Çelsit, I Interit apo I dy viteve të mëdhenj me Realin. “Gjeniu I keq” duket se po konsumon vetveten.

Sfidanti.al