Trajneri i Spërsave e quajti një fitore të merituar, ashtu si edhe Harri Kejn. Totenhemi triumfoi 3-2 në fushën e Leisterit në Premier Ligë, me dy gola në minutat e 6-të e 7-të shtesë. E pabesueshme! “Një fitore e madhe, – tha Antonio Konte, – ndershmërisht, nuk meritonim të humbisnim, ndërsa barazimi do të ishte i padrejtë”. Totenhemi pati epërsi, edhe pse vuajti shumë, ndërsa arriti fitore pa sulmuesin koreanojugor Son. “Në tërësi ne e merituam fitoren, – tha Harri Kejn, shënuesi i golit të parë, – ishim skuadra më e mirë. Ishte një përballje me shumë emocione. U mërzitëm shumë që ishim në humbje 1-2, por vazhduam të krijonim raste. Nuk u dorëzuam dhe Stivi na ndihmoi. Këto janë ndeshje që nuk mund të harrohen në karrierë”.
Shënuesi i dy golave, Stiv Bergvajn, theksoi se “natyrisht, çdo lojtar dëshiron të tregojë veten dhe unë jam shumë i lumtur që e bëra”. “Ne duhet të marrim zemër dhe të kemi vazhdimësi pas një ndeshjeje të tillë, – tha ai, – ne treguam se jemi ekip me karakter që përmbys rezulatet”. Fitorja bëri që Totenhemi të ngjitej në kuotën e 36 pikëve, madje vetëm në 19 ndeshje. Kjo do të thotë se nëse fiton 3 ndeshje që i ka mangut, mund të jetë të paktën në vendin e tretë mbi Çelsin, pra në zonën Champions.
Sfidanti.al