Për vete i fitoi 4 tituj kampion të Anglisë me Mançester Junajtidin dhe përveç meritës personale e të shokëve në fushë, vlerëson lart edhe atë që ishte në stol. Erik Kantona ka një admirim të pakufishëm për Sër Aleks Fergusonin, njeriun që fitoi 13 herë Premier Ligën në “Old Traford” përveçse dy Champions, dhe beson se skocezi legjendar ia ka “trashëguar” ADN-në e tij trajnerit të sotëm të “djajve të kuq”, Ole Gunar Solskjerit. Kantona bën një krahasim me Pep Guardiolën.
“Mendoj se Junajtid mund ta fitojë ligën në të ardhmen, – tha francezi i famshëm, – ka gjetur një njeri si Ole që luajti me Aleks Fergusonin si trajner, ashtu si Guardiola ishte lojtar i Johan Krujfit tek Barcelona. Ai mësoi shumë nga Krujfi dhe u bë një trajner i madh me të njëjtin lloj identiteti futbolli, filozofie futbolli. Ole ishte lojtar kur Aleks Fergusoni ishte këtu dhe ai mësoi shumë. Ai ishte me fat që ishte me Aleks Fergusonin, siç isha edhe unë, por unë vendosa të merresha me tjetër gjë, si shumë lojtarë të tjerë. Ole vendosi të bëhej trajner dhe është kënaqësi që sot kemi një trajner me ADN-në e klubit dhe filozofinë e tij. Mezi po pres që Junajtidi të fitojë titullin, dhe kjo do të ndodhë shpejt”.
Sfidanti.al