Juventusi (thotë se) është i sigurt për CR7, jo për rrogën e Kielinit!

Pavel Nedved u pyet përsëri dhe duket sikur u bezdis pak. Në kohën që legjenda Bufon u zhvendos në një “garsoniere” siç është Parma, tifozët nuk duan që të humbasin edhe “identitetin” tjetër, Xhorxho Kielinin. Kapiteni i Italisë e tregoi veten më së miri në Kampionatin Europian, ku ishte një nga më të mirët në fitoren e titullit, por kontrata me Juventusin ka përfunduar. Edhe qendërmbrojtësi do të shkojë në “dhomë e kuzhinë” si Bufoni, apo Juvja do ta mbajë. Nedved nuk i zbuloi kartat. “Për Kielinin do të flasim më vonë, – tha ai, – sa për CR7-ën, ai do të vijë dhe do të qendrojë këtu”. Për Ronaldon, as vetë Nedved nuk di ç’të thotë, por do të përsërisë linjën zyrtare, ndërsa për Kielinin problemi duket se është rroga, ashtu si për shumë veteranë të tjerë. Pritet takimi me Anjelin dhe mund t’i ofrohen 5 milionë euro në sezon. Të shohim!

Sfidanti.al