Medaljet le t’ia lemë Kosovës dhe të jemi të lumtur. Pasi Distria Krasniqi u shpall kampione olimpike në Japoni, në ditën e dytë në Tokio 2020, sportistët shqiptarë nuk arritën të ishin të suksesshëm, dhe konkurrimi i tyre përfundoi shpejt. Indrit Çullhaj në xhudo dhe Manuela Delilaj në qitje garuan për Shqipërinë në Lojrat Olimpike në Tokio, duke mos mundur të afrohen në zonën e medaljeve. Çulhaj e humbi luftën e tij në raundin e parë ndaj Sanço Çinçillës nga Kosta Rika në peshën deri në 66 kg, ndonëse besohej se mund të kishte bërë më shumë. Xhudisti kostarikan pati epërsi në peshën gjysmë të lehtë, ndonëse më pas u eleminua në raundin e dytë. Çullhaj pati një dëmtim në fund të ndeshjes, dhe për të u desh ndërhyrja e stafit mjekësor, por për fat të mirë nuk pati pasoja serioze, veçse një dëmtim në brinjë. Urimi është që sportisti shqiptar të bëhet mirë sa më shpejt.
Më pas erdhi konkurrimi edhe për qitësen e Shqipërisë, Manuela Delilaj. Ajo garoi në specialitetin e pistoletës në ajër në largësi 10 metra. Sportistja jonë zuri vendin e 37-të ndër 53 pjesëmarrës, duke fituar 565 pikë. Në këtë disiplinë, kampione olimpike u shpall Vitalina Bacarashkina e Rusisë duke vendosur një rekord olimpik me 240.3 pikë në finale, e duke lënë pas Antoaneta Kostandinovën e Bullgarisë dhe Xhian Ranhsin të Kinës. Një ditë më parë, gjimnasti Matvei Petrov doli në vend të 10-të në garën e kalit me doreza, duke humbur finalen për dy vende, ndërsa në 27 korrik pritet të garojë notari Kledi Kadiu në garën e 100 metrave stil i lirë.
Sfidanti.al