Padyshim viti më i vështirë për njerëzit e stolit. Pas Antonio Kontes dhe Zinedin Zidanit ja ku largohet një tjetër, Andrea Pirlo. Jo një emër i madh i trajningut, por një personalitet i futbollit dhe që drejtoi për një sezon një klub kaq të shquar sa Juventusin. Fatal për ish-yllin e mesfushës u bë humbja e titullit nga “Zonja e Vjetër” për herë të parë pas 9 vjetësh, duke u ndërprerë një seri e nisur me Konten, e vazhduar me Alegrin dhe me Sarrin.
Pikërisht Masimiliano Alegri është pasardhësi i Pirlos në Torino, një fytyrë e njohur e futbollit pragmatist, ndërsa drejtuesit juventinë i harruan ëndrrat me futbollin e bukur dhe dominimin në Europë. Trajneri që po largohet nuk është se nuk fitoi asgjë, përkudrazi. Ai i dha klubit Superkupën e Italisë dhe po ashtu Kupën italiane, por dështoi në objektivat kryesore. Përveç humbjes së Serisë A, Juventusi i Pirlos u eleminua shpejt nga Championsi, që në raundin e dytë nga Porto.
Me kthimin e Alegrit, pritet të ketë ndryshime në skuadër. Superylli Kristiano Ronaldo është drejt largimit, ndonëse në Itali nuk e japin si diçka të përfunduar. Është e ditur që tekniku e kishte kërkuar largimin e CR7-ës që kur ishte në Torino, ndërsa klubi mund të mos dëshirojë të vazhdojë pagesën e 31 milionë eurove të rrogës vjetore. Pritet që të ketë rinovim të ekipit, në mënyrë që me Alegrin të krijohet një cikël i ri fitues.
Sfidanti.al