Jo më në Doha të Katarit, por në Torino të Italisë. Ky do të jetë vendi i sfidës së madhe mes Juventusit e Milanit të vlefshme për Kupën. Një mbrëmje pasi juventinët kaluan me vështirësi Atalantën, me formulën me një ndeshje të vetme, milanistët kapërcyen Torinon. Rikthimi i Sinisha Mihajloviçit si trajner kundërshtar në “San Siro” nisi shumë mirë për serbin, por nuk përfundoi ashtu. “Demi” Andrea Beloti e shënoi golin e tij, veçse pas pushimit ishin Juraj Kuçka (61’) dhe Xhakomo Bonaventura (64’) që përmbysën shifrat. Milani do të sfidojë në çerekfinale pikërisht skuadrën që e mundi 0-1 në finalen e vjetshme të Kupës së Italisë, ndërsa fakti që do të luhet në Torino e bën padyshim favorit Juventusin kampion.