Është një fatkeqësi që njeriu të ndërrojë jetë kur është 72 vjeç. Në kohët e sotme, ai quhet shumë i ri. Në këtë moshë u shua ish-trajneri i Anglisë, Graham Tejlër, besohet nga një atak zemre. Një “zotëri” i vërtetë, nga ata personazhet pozitivë të Anglisë, ai realizoi gjëra të rëndësishme, ndonëse nuk fitoi shumë trofe. Fillimisht, drejtoi Linkolnin, pastaj shkoi tek Uatfordi në 1977, ku ishte mik me këngëtarin e famshëm, Elton Xhon, që ishte presidenti i klubit.
Tejlër e drejtoi Uatfordin në një udhëtim triumfal nga kategoria e katërt në të parën, në një epokë të shkëlqyer 10-vjeçare, duke u bërë një emër i njohur në shkollën angleze të futbollit. Më pas, e kërkoi klubi i lavdishëm i Aston Vilës, një nga themeluesit e kampionatit anglez në 1888. Tejlër i kërkoi leje Elton Xhonit dhe presidenti e kuptoi, pastaj e mori Aston Vilën në kategorinë e dytë dhe e ngjiti menjëherë në të parën. Sezonin pasardhës, në 1989-1990 doli nënkampion i Anglisë dhe për këtë arritje, Federata i dorëzoi kombëtaren që u la nga Bobi Robsoni.
Për fat të keq, Tejlër nuk pati sukses me Anglinë, ku ishin yje si Geri Lineker dhe Pol Gaskoin, dhe dha dorëheqjen pasi nuk arriti të kualifikohej për në Kupën e Botës 1994 në SHBA. Karriera e tij vazhdoi me Uolvesin, Uatfordin dhe Aston Vilën përpara se ta mbyllte në 2003.