Sergio Ramos përfaqëson më shumë se një mbrojtës të qendrës për Realin e Madridit. Njeriu i ardhur nga Sevilja shënoi pikërisht ndaj ish-ekipit të tij një tjetër gol të veçantë, edhe pse të një lloji tjetër. Pasi i bëri vend vetes në zemrat e tifozëve me rrjetat në sekondat e fundit, tani vendosi të provonte fatin me një specialitet që e kishin bërë vetëm yje të mëdhenj. Trimëritë shpëtuese ndaj Atletikos apo Barcelonës, i lanë vendit penalltisë “si Panenka” në përballjen e kthimit të të tetave të finaleve të Kupës së Mbretit. Numri 4 realizoi me sukses 11-metërshin, ashtu si Antonin Panenka, Françesko Toti apo Andrea Pirlo.
Reali, që kishte fituar 3-0 ndeshjen e parë, u shfaq në fushë pa disa nga lojtarët më të mirë, përfshi edhe Kristiano Ronaldon, dhe u gjend në humbje 1-3, përpara sesa të reagonte. Danilo shkaktoi autogol në portën madrilene në 10’, Asensio barazoi, pastaj Jovetiç dhe Iborra i dhanë shpresë Seviljes, por Ramos në 83’ dhe zëvendësuesi Benzema në 90’, fiksuan barazimin dhe kalimin në çerekfinale.