Jo Nejmari? Jo problem! PSG-së i mjafton Edinson Kavani

Mendohej që ardhja e tij do të errësonte gjithçka, dhe ai do të bëntë “ditën dhe natën”, “gëzimin dhe hidhërimin”. Nejmar erdhi si mbret tek Paris SG, veçse në skuadrën franceze ekzistonte edhe një “gjel” tjetër që vazhdon të “këndojë”. Ky është Edinson Kavani, njeriu që është edhe këtë vit golshënuesi më i mirë i I parizienëve.

Në mungesë të Nejmarit, Kavani vendosi fatin e duelit me Nisën, një nga sfidat më të forta të sezonit, duke shënuar dy gola dhe duke shërbyer asistin për një tjetër rrjetë. Uruguajani shënoi në minutën e 2-të, pastaj në minutën e 31-të, ndërsa asisti i tij u kthye në gol, nga lojtari i Nisës, Dante, në minutën e 52-të. Më pas, Kavani doli nga fusha i brohoritur nga gjithë stadiumi “Park dë Prensis”.

Me 11 gola në 10 ndeshje në kampionat, ai është vetëm 2 rrjeta larg Radamel Falkaos së Monakos. Ai ka 65 gola në 65 ndeshje që nga largimi i Zllatan Ibrahimoviçit, një ritëm realizimi që mund ta ëndërrojnë vetëm Mesi dhe Ronaldo. Kavani po ndjek rekordin pikërisht të Ibrës. Me 145 gola (në 213 ndeshje), ai shpreson të arrijë shpejt nivelin e 156 rrjetave të Zllatanit (në 180 ndeshje me PSG-në).

Sfidanti.al