Italisë nuk i ndahet mallkimi i truallit suedez, rrezikon Botërorin!

Nuk thonë kot që humbja 0-1 është më e keqja nga të gjitha humbjet. Të tillë e pësoi edhe Italia, në ndeshjen e parë të plej ofit për Kupën e Botës, me Suedinë që hodhi hapin e parë drejt Rusisë. Goli i shënuar nga Johanson në minutën e 62-të ishte vendimtar për sfidën e luajtur në “Stadiumin e Miqve” në Solna, pranë kryeqytetit Stokholm. Të kaltërve, këtë herë të drejtuar nga Ventura, nuk iu largua mallkimi i truallit suedez ku kanë fituar për herë të parë dhe të fundit në Olimpiadën e vitit 1912. Që prej asaj kohe 5 humbje e 3 barazime.

“La Gazeta delo Sport” e përmblodhi në dy fjali përfundimin që doli nga disfata në Solna. “Itali e shëmtuar, dhe e pafat, shkroi ajo, do të duhet një paraqitje e madhe në “San Siro””. Nuk dihet nëse do të arrijë ta japë kjo Itali që nuk bindi as në grup, duke vuajtur ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe duke u vënë poshtë nga Spanja. Për fat të keq, në “San Siro” nuk do të jetë as Marko Verrati, që mori karton të verdhë dhe u skualifikua. Tifozët italianë u treguan menjëherë të pakënaqur në rrjetet sociale. “Jam kundër”, shkruante njëri, “kështu nuk shkon”, ishte një tjetër koment, “çfarë Rusie, ne meritojmë të shkojmë në Siberi”, ishte komenti më i fortë.

Pozitat e trajnerit Ventura janë rrezikuar, por ajo që ka më shumë rëndësi, katër herë kampionët e botës mund të mos shkojnë në finalet e Kupës së Botës.

Sfidanti.al