Italianët ende gjallë në Champions, Romë e madhe në Londër!

Anglezët janë skuadrat e vitit, veçse nuk do të jenë pa rivalë. Nëse Reali i Madridit ka disa probleme, italianët nuk duan “ta ulin” në asnjë mënyrë “flamurin”. Ishte mbrëmja sidomos e Romës, edhe pse nuk fitoi. Formacioni i trajnerit Di Françesko la pas një humbje jo edhe aq të lehtë, sa ajo në fushën e vet ndaj Napolit, duke përballuar Çelsin në “Stemford Brixh”. Pavarësisht se kampionët e Anglisë kryesuan 2-0, asgjë nuk ishte e përfunduar.

Aleksandar Kolarov shkurtoi diferencën për romanët pasi David Luiz dhe Eden Hazar kishin krijuar epërsinë për vendasi. Në pjesën e dytë ndodhi thuajse e pabesueshmja me Romën në avantazh 3-2, pasi Edion Xheko ndëshkoi dy herë blutë e Londrës. U desh sërish Hazar, edhe ai në një ndeshje të madhe, për të shpëtuar një pikë për skuadrën e Antonio Kontes, që gjithsesi është në pozicion shumë të mirë në renditje, me 7 pikë ndaj 5 të Romës, 2 të Atletikos së Madridit dhe 1 të Karabakut të Ansi Agollit.

Mbrëmja ishte edhe e Juventusit, ndonëse “me mik”. Nënkampionia e Europës tregoi se disfata me Lacion në Torino e kishte tronditur mjaft, edhe pse fitoi. Nuk ishte aspak e lehtë ndaj Sportingut të fortë të Lisbonës, ekip me cilësi dhe përvojë, edhe pse jo i nivelit të Juventusit. Aleks Sandro shkaktoi autogol në favor të miqve, Miralem Pjaniç barazoi në 28’, por goli i dytë erdhi shumë vonë. Pas boshnjakut shënoi kroati Mario Manxhukiç (gjithnjë tepër i rëndësishëm) kur duheshin edhe 6 minuta deri në fund.

Juventusi është i pozicionuar mirë në grupin D, në vend të dytë me 6 pikë, i lënë pas vetëm nga kryesuesja Barcelona. Kryesuesja e kampionatit spanjoll pati një ndeshje jo shumë të zakonshme ndaj Olimpiakosit, ku Gerard Pike doli me të kuqe që në pjesën e parë. Autogoli i Nikolaut, pastaj rrjetat e Mesit dhe Dinjes i dhanë fitoren katalanasve, ndërsa grekët shënuan vetëm në fund (sërish) me anë të Nikolaut.

Në grupin A pati një gol shqiptar. Taulant Xhaka, i rikthyer në kombëtare nga Panuçi, ishte heroi numër 1 i Bazelit në Moskës ndaj CSKA-së. Ai shënoi golin e parë, ndërsa i dyti erdhi në fund me autor Dimitri Oberlinin. Po në këtë grup, Mançester Junajtid u tregua një skuadër e vërtetë e Murinjos, duke fituar minimalisht në Lisbonë ndaj Benfikës. Markus Rashford shënoi golin e vetëm në 64’, ndërsa Luizao doli me të kuqe për portugezët. Junajtid ka 9 pikë të plota, ndaj 6 të Bazelit, 3 të CSKA-së dhe 0 të Benfikës.

Sfidanti.al