Lojtari i ndeshjes, Taulant Xhaka: Mesa duket, sot ishte dita ime!

Më në fund, punët po i shkojnë mirë. Taulant Xhaka në të njëjtën kohë u rikthye në kombëtaren e Shqipërisë, si dhe shënoi golin e parë në karrierën e tij europiane. Mesfushori-mbrojtës kuqezi ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për Bazelin që të fitonte 2-0 në Moskë duke e kaluar në epërsi në 29’ skuadrën e tij dhe duke dhënë kontribut të vyer. Gazeta “Blik” shkruan se “Taulanti i dha shumë zemër “bebeve” të Bazelit që afrohen me raundin tjetër”.

Xhaka u shpall lojtari i ndeshjes, dhe menjëherë pas përfundimit, foli me sinqeritet për televizionin zviceran, SRF. “Mesa duket sot ishte dita ime, – tha ai, – ne luajtëm shumë mirë dhe e merituam fitoren”. Taulanti ka mjaft përvojë, me 45 ndeshje në Europë dhe me mbi 160 në Superligën e Zvicrës. Gjithsesi, “takime” me golin nuk ka pasur shumë, vetëm 4, dhe ky në Moskë ishte i pesti, dhe në moshën 26-vjeçare mund të ndihet i kënaqur me karrierën.

Bazeli është shumë pranë kualifikimit për në fazën e dytë, mes 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, diçka e rëndësishme për një skuadër zvicerane, madje edhe kur ka dalë 4 herë radhazi kampione, dhe 5 herë kampione në 6 sezonet e fundit. Taulanti ka qenë i pranishëm në të gjithë këta suksese. Edhe Albian Ajeti shënoi për Bazelin në Moskë, por goli iu anulua me pa të drejtë nga gjyqtari.

Sfidanti.al