PSG është ekipi perfekt, por Europa dashuron Jup Hajnkesin

“Gjeni një binom më të përsosur sesa Jup Hajnkes-Champions League”! Kështu shkruhej në adresën në Tuiter në anglisht të Bajernit të Mynihut. Entuziazmi është i madh në Bavarri për rikthimin e “plakut” që, siç tha Zherom Boatengu, “ka rikthyer kënaqësinë në stërvitjet e Bajernit”. Boateng tha edhe se po mendonte të largohej nga skuadra, por e bindi ardhja sërish e Hajnkesit 72-vjeçar. Edhe pse grupin B e kryeson Paris SG, që për momentin është skuadra më perfekte e Ligës së Kampionëve (3 ndeshje, 3 fitore, 12 gola të shënuar, 0 të pësuar), sërish gjithë dashuria e kontinentit është për veteranin e stolit. PSG-së do t’i duhet kohë që të krijojë traditën dhe, rrjedhimisht edhe nostalgjinë e kujtimet e shkëlqyera të së kaluarës.

Ndaj Sëlltikut, Bajerni arriti fitoren e dytë radhazi nën Hajnkesin, pas asaj 5-0 në Bundesligë kundër Frajburgut. Tre gola të shënuar dhe asnjë i pësuar, madje me vendasit që mbaruan punë me skocezët shpejt e shpejt, deri në 51’. Tomas Myler, Xhoshua Kimih dhe Mats Humels ishin autorët e golave për bavarezët që duket se janë rikthyer. Tomas Myler duket se do të ketë besimin e trajnerit, dhe Havi Martinez pritet të jetë “shtylla” e skemave.

Paris SG, ndërkaq, vazhdoi me fitoret e tij të “tepruara”, 4-0 këtë herë në fushën e Anderlehtit, Kilian Mbape, Edinson Kavani dhe Nejmar shënuan, për treshjen e “mosketierëvve” apo treshen MKN, ndërsa një rrjetë e realizoi edhe Angel Di Maria.

Sfidanti.al