Inzagi: Ishim baraz me Liverpulin, tani të mendojmë për Serinë A

Me të drejtë, “La Gazeta delo Sport” komentoi se “magjia e Lautaros këtë herë nuk mjaftoi, Interi fitoi në “Anfild”, por kaloi më tej Liverpuli”. Ky ishte rezultati i sfidës dhe për zikaltërit menjëherë mendja kalon në kampionat, me trajnerin Simone Inzagi që dëshiron ta ketë Championsin si “trampolinë” për t’i dhënë zemër dhe vetëbesim ekipit të tij. “Ne ishim me armë të barabarta ndaj Liverpulit, – tha ai, – në total, nuk ishim më poshtë se kundërshtari, por gjithsesi rezultati ishte kundër nesh. Luajtëm një ndeshje të madhe, në një stadium shumë të vështirë dhe ndaj një skuadre vërtet të madhe. E mbajtëm mirë fushën, vuajtëm ashtu siç duhet, por përjashtimi i Sançezit ndikoi në 30’ e fundit”. Inzagi tha se nuk e aktivizoi Xhekon për ta ruajtur për kampionatin. Gjithsesi, shqetësimet nga Anglia ishin të mëdha. De Vraj pësoi dëmtim dhe frika është se mund të jetë serioz. Po ashtu, Brozoviç pati lodhje të madhe muskulore që mund ta pengojë, dhe po flasim ndoshta për lojtarin më të mirë të ekipit.

Sfidanti.al