Interi sipas këshillës së Inzagit, kriza largohet me fitore ndaj Barçës!

Mjaftoi një gol, pak fat në momentet e vështira dhe me VAR-in, e kështu “u hodh lumi”. Interi e la pas krizën e rëndë që kishte (të paktën, kështu mendohet) me një fitore tepër të çmuar ndaj Barcelonës. Jo se shifrat ishin për çmenduri, vetëm 1-0, por gjithsesi kjo është gjë e madhe kur e arrin një ekip si ky zikaltër që po mallkohej nga të gjitha anët pas katastrofave me Udinezen dhe Romën.

Hakan Çalhanoglu shënoi në 47’ dhe milanezët ia dolën pa Lukakun e Brozoviçin, ndërsa trajneri Simone Inzagi zgjodhi të linte në stol Handanoviçin, Xhekon si dhe të riun shqiptar Kristjan Asllani. Dy të fundit u aktivizuan në pjesën e dytë. Katalansit mbajtën topin 67 për qind dhe pretenduan për penallti për prekje të topit me dorë nga Damfris, por gjithsesi në 90’ u arrit vetëm një gjuajtje në kuadrat. Problem dëmtimet në mbrojtje (Kunde, Arauho dhe tani Kristensen), ndërsa në Champions duhen fituar ndoshta të 9 pikët e mbetura për t’u kualifikuar.

Inter-Barcelona 1-0 (Çalhanoglu 47’)

Interi (3-5-2): Onana, Bastoni, De Vraj (Açerbi 77’), Shkriniar, Darmian (Gosens 77’), Barela, Çalhanoglu (Asllani 85’), Mkitarian, Dimarko (Damfris 76’), Korrea (Xheko 56’), Lautaro Martinez.

Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Sergi Roberto, Kristensen (Pike 58’), Erik Garsia, Markos Alonso (Balde 64’), Gavi (Kesi 83’), Buskets, Pedri, Rafinja (Ansu Fati 63’), Levandovski, Dembele.

Sfidanti.al