Polemikat do të ekzistojnë përsa kohë që të luhet “top”, por gjithsesi përfundimi ishte (dhe i drejtë) që Interi është ringjallur. Zikaltërit duhej të jepnin një konfirmim pikërisht dy ditë pas Pashkëve katolike, për të “rilindur” si Krishti apo si Feniksi, dhe nuk kishte më bukur sesa këtë ta bënte në një derbi. Skuadra kampione e Italisë siguroi kualifikimin për në finalen e Kupës, me një triumf 3-0 ndaj Milanit në një “San Siro” zikaltër, edhe pse rezultati nuk e paraqet saktësisht atë që ndodhi në fushë. Lautaro Martinez shënoi 2 gola dhe Robin Gosens të tretin, veçse kuqezinjtë nuk është se u dorëzuan. Ata goditën 18 herë drejt portës kundërshtare ndaj “vetëm” 10 të Interit, duke treguar se kanë talent, lojë kolektive, energji dhe karakter.
Për fat të keq, Milani ishte heroik, por jo gjakftohtë, dhe nga 18 gjuajtjet vetëm njëra ishte në kuadrat! Në të kundërt, skuadra e Simone Inzagit futi katër gjuajtje në portën e Menjasë, duke shënuar 3 gola. Moment i rëndësishëm i ndeshjes ishte anulimi i golit të shënuar nga Benaser në 69’ me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone, por i cilësuar jo i rregullt për një pozicion jashtë loje të Kalulut. Gjyqtari Mariani u vonua shumë duke e shqyrtuar në monitorin e VAR-it përpara sesa të vendoste.
Inter-Milan 3-0 (Lautaro Martinez 4’, 40’, Gosens 82’)
Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, De Vraj, Bastoni (D’Ambrozio 79’), Darmian, Barela, Brozoviç, Çalhanoglu, Perishiç (Gosens 79’), Korrea (Aleksis Sançez 70’), Lautaro Martinez (Xheko 71’).
Milani (4-2-3-1): Menja, Kalabria (Gabia 74’), Kalulu, Tomori, Teo Hernandez, Benaser (Kruniç 73’), Tonali (Brahim Diaz 46’), Selemekers (Zhunior Mesias 46’), Kesie, Leao (Lazetiç 86’), Zhiru.
Sfidanti.al