Salah prish “agjërimin”, Liverpuli shkatërron Junajtidin për titullin!

Si mysliman i bindur e bën atë që e quan detyrim, pra mban Ramazan. Gjithsesi, asgjë nuk e pengoi Mohamed Salahun që të shkëlqente në stadiumin “Anfild” në Derbin e Anglisë në futboll mes Liverpulit e Mançester Junajtidit. Sulmuesi egjiptian shënoi 2 herë duke e prishur “agjërimin” e u duk se e solli “Bajramin” para kohe, në fitoren e madhe 4-0 në Premier Ligë. Luis Diaz hapi shpejt rezultatin në 5’, pastaj Salah shënoi në 22’ dhe Sadio Mane shtoi golin e tretë pas pushimit (68’). Pesë minuta para fundit, egjiptiani realizoi edhe golin e dytë personal, duke bërë të harroheshin ndeshjet në “të thatë”. Treshja sulmuese e të kuqve bëri gjithçka duke dhënë edhe 3 nga asistet (Salah, Mane, Diaz).

Është e pamundur që të mendohet një dominim më i madh sesa kaq, sidomos kur përballë janë skuadra kaq të shquara. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop patën 72 për qind zotërim topi, patën 14 gjuajtje drejt portës ndaj vetëm 2 të miqve, dhe 5 në kuadrat kundrejt vetëm 1 të “djajve të kuq”. Kornet ishin 10-2! Nuk ka nevojë për fakte të tjera për të kuptuar sesi shkoi ndeshja. Liverpuli kryeson Premier Ligën me 76 pikë në 32 ndeshje ndaj 74 pikëve që ka Mançester Siti në 75! Golaverazhi është po ashtu në favor të të kuqve me +61 (83-22) ndaj +52 (72-20) të ekipit të Pep Guardiolës.

Liverpul-Mançester Junajtid 4-0 (Diaz 5’, Salah 22’, 85’, Mane 68’)

Liverpuli (4-3-3): Alison, Aleksandër-Arnold, Matip, Van Dajk, Robertson, Henderson, Fabinjo, Tiago Alkantara, Salah, Mane, Diaz.

Man. Junajtidi (4-3-3): De Gea, Xhons, Megajer, Lindelof, Dalot, Pogba, Matiç, Uan-Bisaka, Elanga, Rashford, Bruno Fernandes.

Sfidanti.al