Interi gjen dyshen LuLa, pas 10 vjetësh në finalen e një kupe europiane!

Tifozët që deri dje nuk lanë fjalë të keqe pa thënë për Antonio Konten, sonte janë në festë. Edhe pse mund të mos e përmendin me zë të lartë emrin e trajnerit ish-juventin, sërish nuk mund ta përmbajnë dot entuziazmin, dhe me të drejtë: Interi i tyre u kualifikua pas 10 vjetësh në një finale europiane, dhe me çfarë kualifikimi. Shahtari u mund 5-0, shifra këto të jashtëzakonshme për një skuadër që kishte harruar sesi fitohej që prej vitit të paharrueshëm 2010, edhe pse paraqitja nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë, të paktën në pjesën e parë.

Konte e ka realizuar në 90 për qind misionin e tij kontinental, pasi skuadra mbërriti në finale, po ashtu edhe ai vetë për herë të parë në karrierë. Kënaqësia e tij ishte e madhe sepse Interi u udhëhoq nga dyshja e sulmit, LuLa, pra Romelu Lukaku e Lautaro Martinez, që shënuan nga dy gola secili. Lukaku ka 33 gola këtë sezon, në 50 ndeshje, ndërsa thellon rekordin në Ligën e Europës me 10 ndeshje radhazi që shënon. Lautaro Martinez ka mbi 20 gola, dhe kjo është dyshja e parë sulmuese e Interit që shënon nga 20 gola secili në një sezon, që nga viti 2005. Interi kualifikohet për në finalen e 10-të të tij europiane, nga të cilat deri tani ka fituar 6 dhe ka humbur 3. Nëse ia del ndaj Seviljes, atëherë sezoni do të quhej me të vërtetë i suksesshëm.

Sfidanti.al