Interi fiton dhe bind, Barça fiton me Mesin, por sidomos me Ter Shtegenin!

“U kthye Interi i madh”, titulloi “vrap e vrap”, “La Gazeta delo Sporti”. Padyshim që pati të drejtë, pasi skuadra e Antonio Kontes bindi në një sprovë të vështirë, ndaj një ekipi shumë të fortë si Borusia e Dortmundit. Në një duel karakteresh, mbizotëroi ai i italianëve të frymëzuar nga trajneri i tyre luftëtar, ndërsa gjermanët janë ende në një dilemë ekzistencialiste, pa mundur të gjejnë dot mentalitetin e duhur. Për më tepër, kapiteni Rojs nuk luajti, dhe Gëce ishte në stol. Lautaro Martinez dhe Antonio Kandreva ishin autorët e golave në “San Siro”, në suksesin 2-0, me sulmuesin kilen që humbi edhe një penallti, ndërsa formacioni interist ishte impresiv: Handanoviç, Godin, De Vraj, Shkriniar, Brozoviç, Kandreva, Galiardini, Barela, Asamoah, Lukaku, Martinez.

E ndryshme fitorja e Barcelonës, ndonëse duhej të kishte qenë më e lehtë. Në fushën e Sllavias së Pragës, katalanasit vuajtën jo pak në suksesin 2-1, me gol të Mesit, dhe autogol të ish-lojtarit të Superligës shqiptare, Peter Olajinka. Jan Boril barazoi përkohësisht për çekët në 50’. Mesi realizoi golin e 113-të të tij në Champions, duke qenë 15 gola prapa Kristiano Ronaldos, por që ka luajtur shumë më tepër ndeshje se ai (171 ndaj 138). Lojtari më i mirë në fushë, për ekipin e Valverdes, sipas “Markës” ishte portieri Ter Shtegen, dhe kjo e tregon qartë sesa të vështirë e pati Barça. Në grupin F, Barcelona kryeson me 7 pikë, ndaj 4 të Interit, 4 të Dortmundit dhe 1 të Sllavias.

Sfidanti.al