Në Serinë A sfida nuk pati histori dhe ishte me një kah. Napoli triumfoi 4-1 ndaj Atalantës 3 muaj më parë në stadiumin që sot quhet “Maradona”, ndërsa këtë mbrëmje është dueli i radhës mes dy ekipeve, tashmë për Kupën e Italisë. Dy shqiptarë pritet të jenë përballë në fushën e lojës në orën 20:45, Elseid Hysaj i vendasve dhe Berat Gjimshiti i miqve.
Hysaj nuk ka qenë vazhdimisht titullar në Serinë A, duke luajtur në pak më shumë se 40 për qind të kohës, veçse trajneri Gatuzo ka vendosur t’i besojë në Kupë. Mbrojtësi i djathtë i kombëtares ishte në formacion në fitoren 4-2 ndaj Specias pak ditë më parë madje shërbeu asistin e golit të parë të shënuar nga Kulibali. Ishte ky asisti i tij i dytë i sezonit, pas atij ndaj Xhenoas në Serinë A.
Gjimshiti është më i sigurt në formacionin e Atalantës, duke qenë thuajse gjithnjë i përzgjedhur në 11-en kryesore. Mbrojtësi i qendrës i kombëtares ka arritur edhe të shënojë, siç bëri në çerekfinalen ndaj Lacios fituar 3-2 në Bergamo. Forma e tij ka qenë shumë e mirë në Itali dhe në Champions, si një nga mbrojtësit më të mirë të Europës.
Napoli jepet favorit për të fituar mbrëmjen e sotme, ndonëse jo me diferencë të madhe, ndërsa situata në klub nuk është nga më të mirat. E tregoi qartë shpërthimi i Gatuzos ndaj presidentit De Laurentis, i ndjerë i ofenduar nga heshtja lidhur me rinovimin e kontratës, dhe me mungesën e alternativave sidomos në sulm.
Tek Atalanta, gjendja është tronditur pak nga mungesa e fitores në dy ndeshjet e fundit të Serisë A, që e kanë zbritur në vendin e 7-të. Gjimshiti shprehet me besim se ekipi do të dijë të përqëndrohet te Kupa e Italisë për të fituar një trofe këtë sezon, ndërsa potenciali i bergamaskëve është i madh. Jo më kot Gatuzo thotë se Atalanta është në gjendje të shënojë edhe 6 gola në një ndeshje të vetme.
Atalanta pritet të ketë probleme të mëdha sidomos në mbrojtje, pasi Palomino është i pezulluar, Romero pozitiv me Kovid, ndërsa Shutalo e Hatebër janë në dyshim për shkak dëmtimi. Gjimshiti pritet të jetë në treshen e mbrojtjes bashkë me Kaldarën e Toloin.
Sfidanti.al