David Luiz “merr në qafë” Arsenalin, 6 penallti e 3 të kuq në 18 muaj!

Një tifoz i “topçinjve” nuk ngurroi të fliste për teori konspirative në rrjetet sociale. Sipas tij, David Luiz po i bën shumë mirë detyrat si “agjent i fshehtë i Çelsit”, duke dëmtuar vazhdimisht Arsenalin. Kjo, pasi mbrojtësi brazilian shkaktoi një penallti të panevojshme dhe mori një karton të kuq të pabesueshëm në humbjen që londinezët pësuan 1-2 në fushën e Uolvesit. Të mendosh se skuadra e trajnerit Arteta kishte gjithçka në kontroll derisa Luiz shkaktoi penalltinë dhe mori të kuqin në minutën e 5-të shtesë të pjesës së parë. Nikolas Pepe kishte shënuar në 32’, por Ruben Neves barazoi nga pika e bardhë, dhe pas pushimit Zhoao Mutinjo shënoi golin e dytë në 49’. Arsenali shkoi “nga shiu në breshër” kur në 72’ karton të kuq mori edhe portieri Bernd Leno. Me këtë humbje, “topçinjtë” mbetën në vendin e 10-të të renditjes me vetëm 31 pikë, ndonëse kanë ende shpresë për zonën e Ligës së Europës. David Luiz ka shkaktuar 6 penallti dhe ka marrë 3 të kuq në 18 muaj që ka tek Arsenali, dhe një tjetër tifoz shkruante me të drejtë se “ky lojtar është kaq shumë zemërgjerë, ai vazhdimisht dëshiron të ndihmojë skuadrat e tjera”.

Sfidanti.al