Optimizmi i Kontes, dhe mërzitia e Vidalit e Kristiano Ronaldos

Pati fitues e humbës në “San Siro” në duelin Inter-Juventus, por duket se askush nuk doli plotësisht i kënaqur nga fusha e lojës. Antonio Konte, trajneri zikaltër, padyshim që ishte tepër i nërzitur nga humbja 1-2 që bën të afrohet eleminimi në gjysmëfinale, ndonëse analiza e tij ishte e tillë që e shikonte gotën gjysmë plot.

“Po, paraqitja jonë ishte shumë e mirë, – tha ai, – kjo duhet vlerësuar sepse e bëmë përballë një skuadre shumë të fortë. Më vjen keq për rezultatin sepse gjithçka në fushë e bëmë ne. Dy golat e Juventusit ishin gabimet tona, ndërsa patëm shumë raste të pastër, ku duhej të kishim qenë më të saktë. Kjo po na përsëritet pak si shpesh këtë vit. Duhet të jemi të zhgënjyer, por në të njëjtën kohë të zemërohemi me veten, sepse në ndeshje të tilla toleranca për gabimet duhet të jetë minimale”.

Gjithsesi, Konte u mërzit jo pak nga pakënaqësia e Arturo Vidalit për zëvendësimin dhe nga fakti se Aleksis Sançez nuk po shënon gola. “Jam i detyruar të marr vendime, – tha trajneri, – dhe lojtarët duhet t’i pranojnë, kjo është rruga. Sa për Sançezin, padyshim që po lufton shumë, por para portës duhet të jetë më i saktë, statistikat nuk janë të mira”.

Tek Juvja ndërkaq, Andrea Pirlo është i lumtur me fitoren dhe përgjigjen e skuadrës, ndërsa minimizon pakënaqësinë e Kristiano Ronaldos në momentin e zëvendësimit. “Sonte ishte vetëm raundi i parë, – tha ai, – E fituam ne por, nuk ka marrë fund dhe duhet të presim ndeshjen tjetër. Ne e dimë se jemi të fortë, por duhet të luajmë në nivelin maksimal. Mund të fitojmë me të gjithë. Ronaldon e zëvendësova sepse po luan shumë, kemi një kalendar tepër të ngjeshur, dhe të shtunën kemi një ndeshje të madhe në kampionat ndaj Romës, dhe duhet që të pushojë pak e të rikuperojë energjitë”.

Sfidanti.al