Hungaria tërbohet me dënimin e UEFA-s: Vendim gjakpirës!

Duhet ta mbajnë kokën lart për atë që bënë. Kombëtarja e Hungarisë mori vlerësimet më të larta në Euro 2020, edhe pse u eleminua në grup, por UEFA ka një mendim aspak të mirë për tifozët e saj. Drejtuesit e futbollit europian e dënuan Hungarinë për të luajtur dy ndeshje pa spektatorë në eleminatoret e ardhshme të Europianit, për shkak të asaj që e quajtën sjellje homofobike dhe raciste të një pjese të publikut. Një ndeshje e tretë dënim mbetet pezull për 2 vjet, dhe mund të imponohet nëse kjo sjellje vazhdon. Përveç kësaj, Federata Hungareze e Futbollit duhet të paguajë një gjobë prej 100 000 eurosh.

Akuzat janë që një baner homofobik u vendos në stadiumin e Budapestit para ndeshjes me Portugalinë, dhe që pati ofendime ndaj Kristiano Ronaldos, Kilian Mbapesë e të tjerëve. Ky vendim nuk u prit aspak mirë në shtetin e Europës Qendrore. E përditshmja kryesore sportive hungareze, “Nemzeti Sport”, lëshon akuza të rënda për drejtuesit e futbollit europian. Vendim gjakpirës i UEFA-s, tre ndeshje me dyer të mbyllura! E pakuptueshme dhe tronditëse!

Nën drejtimin e presidentit Aleksandër Çeferin, UEFA fillimisht e mbështeti Hungarinë përpara ndeshjes ndaj Gjermanisë në Mynih, duke mos lejuar që stadiumi “Alianc Arena” të ndriçohej me ngjyrat e lëvizjes së homoseksualëve, LGBT. Reagimi gjerman ishte i ashpër dhe ngjyrat u ndezën në ndërtesa të tjera në kryeqytetin e Bavarisë, ndërsa duket se konflikti i kulturave brenda Europës do të vazhdojë gjatë. Muajin e kaluar parlamenti hungarez miratoi ligjin që ndalon reklaminin e homoseksualitetit për fëmijët, duke e përjashtuar nga shkollat. Me gjasë, kjo është në frymën e një mentaliteti më konservator të popullsisë hungareze, në krahasim me atë të Europës Perëndimore dhe Veriore, ndërsa partia e kryeministrit Viktor Orban është në pushtet prej shumë vjetësh.

Sfidanti.al