Ishte e pritshme që në ndeshjen e parë si titullar në një skuadër të madhe, do të kishte një barrë të rëndë mbi supe. Kishin të drejtë një pjesë e tifozëve të Interit që paralajmëruan në rrjetet sociale para ndeshjes që “ta mbështesim Asllanin dhe të mos e vërshëllejmë as nëse bën ndonjë gabim”. Ishte debutimi që nga minuta e parë e mesfushorit kuqezi dhe nuk ishte prej ëndrrash, por i vështirë. Pelegrini e mbuloi mirë, por për shqiptarin u bë edhe më e zorshme nga humbja e Interit. Roma fitoi 2-1 në “San Siro”, me ish-trajnerin zikaltër, Zhoze Murinjo, që ia doli me stilin e tij pragmatik, duke bërë pak e duke marrë shumë, ndërsa ekipi i trajnerit Simone Inzagi derdhi shumë djersë, por nuk u shpërblye me pikë. Goli i Dimarkos u përmbys nga Dibala (në foto) dhe Smolling, ndërsa Asllani doli nga fusha në 77’ i zëvendësuar nga Mkitarian. Kriza zikaltër është sheshit, edhe pse Inzagi tha se ekipi i tij luajti ndeshjen më të mirë të sezonit. Ndoshta me kthimin e Lukakut gjendja mund të ndryshojë, por tekniku rrezikon postin.
Sfidanti.al