Skënderbeu e Orlando Kojës e nisi si kampion, fitore e thellë ndaj Tiranës nënkampione!

Sezonin e kaluar rikthyen titullin pas 36 vjetësh. Volejbollistet e Skënderbeut i dhanë lumturi gjithë Korçës dhe duket se do të vazhdojnë ta bëjnë. E tregoi ndeshja e parë e këtij kampionati, që ishte përsëritje e finales së edicionit të kaluar ndaj Tiranës. Tashmë nën drejtimin e trajnerit të ri, Orlando Koja, vajzat e Skënderbeut fituan 3-0 në pallatin e tyre të sportit duke mos e diskutuar për asnjë moment fatin e ndeshjes. E tregon rezultati i seteve që ishte i thellë, 25-12, 25-13 dhe 25-19. Një fitore e tillë ndaj nënkampiones në fuqi tregon qartë nivelin e ekipit të Kojës, i cili u shpreh i lumtur për lojën e të besuarave të tij.

“Dominuam nga fillimi deri në fund, – tha ai, – të gjitha lojtaret u përpoqën dhe luajtën me ritëm, sidomos organizatorja. Mendoj se rezultati e tregoi vetë ndeshjen”. Skënderbeu nuk pati nisje të mirë të sezonit në Kupën e Federatës ku u mund në gjysmëfinale nga Partizanit, por Koja ka besim absolut për edicionin. “Do të luftojmë për të mbrojtur titullin dhe për të fituar çdo trofe, – theksoi Landi, – do të përmirësohemi dhe do të tregojmë nivel më të mirë volejbolli”.

Sfidanti.al