Hazar: Mos më krahasoni me Mesin, ai është i pakrahasueshëm

Eden Hazari do të jetë një nga kartat e forta të Realit të Madridit në betejën me Barcelonën në sezonin e ardhshëm, por, në ndryshim nga Kristiano Ronaldo, futbollisti belg bëri të qartë se duelet e ardhshëm ai nuk do t’i konsiderojë si beteja të tij me Lionelin Mesin, sepse, sipas Hazarit, nuk ka asnjë dyshim se Mesi është futbollisti më i mirë në botë.

“Dua që ta bëj të qartë që në fillim, se nuk dua që të më krahasoni me Mesin, sepse një gjë e tillë është e pamundur, ai është i pakrahasueshëm, është shumë larg para të tjerëve dhe është më i miri në botë. Po, është e vërtetë se ne kemi ngjajshmëri, jemi të dy të shkurtër dhe shumë të shpejtë, por ndryshimi kyç është se ai shënon në çdo ndeshje, kurse unë nuk e bëj një gjë të tillë. Unë tanimë e kam shprehur qëndrimin tim, në historinë e futbollit nuk ka dy më të mirët, por vetëm një dhe ai është Leo Mesi”, deklaroi Eden Hazari, prezantim i të cilit te Reali do të bëhet ditët e ardhshme.

Sfidanti.al