Një kampion i botës beson te Gjermania: Synojmë titullin në Euro 2020

Ai sot është 58 vjeç dhe karrierën e tij e ka bërë shkëlqyeshëm. Guido Buhvald, ish-mbrojtësi i qendrës i Gjermanisë Perëndimore dhe pastaj i Gjermanisë së bashkuar, ka besim se skuadra e sotme e Joakim Lëvit mund të realizojë në Euro 2020, atë mrekulli që “pancerët” bënë në Botërorin 1990 në Itali. Kampioni i botës atë vit u intervistua nga revista “Sport Bild”, dhe u shpreh me besim.

“Kjo ecuri dhe kjo formë e kombëtares mund të na ngjisë deri tek titulli në Euro 2020, – tha Buhvaldi, – Natyrisht, do të na duhet edhe fat, por kuptohet qartë potenciali i skuadrës, sidomos në sulm. Nëse Rojs, Sane dhe Verner janë në formën e duhur, vështirë të ndalen”. Ish-kampioni i botës ka një shqetësim vetëm për mbrojtjen dhe i jep një këshillë “bundestrajnerit” Lëv. “Xhoshua Kimih për mua duhet të luajë mbrojtës i djathtë, dhe jo mesfushor, pasi është roli ku jep më shumë, – tha ai, – plus që kemi pa alternativa në mbrojtje”.

Buhvald foli pas fitores 8-0 të Gjermanisë ndaj Estonisë në eleminatoret e Europianit, një nga sukseset më të thella të kombëtares “teutone” në histori, ndërsa skuadra e Joakim Lëvit është favorite në grupin C, ndonëse mbetet në vend të dytë pas Irlandës së Veriut, me 9 pikë ndaj 12 të britanikëve.

Sfidanti.al