Guardiola: Fitorja e Championsit është një ëndërr!

Spektakli ka qenë gjithmonë i garantuar. Nuk ka pasur kurrë dyshime për skuadrat e Pep Guardiolës, qofshin dikur Barcelona e Bajerni, apo sot Mançester Siti, veçse përtej triumfeve në Angli, trajneri katalanas nuk ia ka dalë dot në Champions. Sonte, ai që cilësohet si më i miri i epokës së sotme të trajningut në futboll ka shansin e dytë të madh, finalen e Ligës së Kampionëve kundër Interit. Që nga disfata e dhimbshme ndaj Çelsit dy sezone më parë dhe eliminimi i pabesueshëm i vjetshëm ndaj Realit, ka kaluar kohë, dhe besohet se Guardiola ka nxjerrë mësimet e tij.

Ky vit ka qenë një triumf i madh me sukseset ndaj Bajernit e pikërisht Realit, ndërsa në mozaikun e Sitit duket se është shtuar ai gur që mungonte, Erling Halandi. Për më tepër, janë fituar titulli në Premier Ligë dhe Kupa e Anglisë dhe Siti është favorit. Në konferencën për shtyp para finales, Guardiola u pyet nëse fitorja e Championsit është një fiksim apo një ëndërr. “Është absolutisht një ëndërr, – tha ai, – Që të arrish tek suksesi duhet të kesh edhe një sasi të drejtë të fiksimit, të obsesionit, të dëshirës për t’ia dalë. Kjo është diçka e mirë kur na shtyn që t’ia dalim mbanë. Gjithsesi, është në radhë të parë një ëndërr për ne. Padyshim”.

Siti nuk ka probleme me dëmtimet me përjashtim të një lëndimi në shpinë për mbrojtësin e rëndësishëm, Kajl Uolker, ndonëse futbollisti është stërvitur me shokët. Kapiteni Gyndogan ndoshta do të luajë ndeshjen e fundit për kampionët e Anglisë, për t’u larguar pas 10 viteve, ndërsa në fushë do të jetë “artileria e rëndë” me De Brujnen, Bernardo Silvën apo Halandin. Siti kërkon Championsin e parë në histori, ndërsa fiksimi i Guardiolës padyshim që është i madh sepse kanë kaluar 12 vjet që nga triumfi i fundit në Ligën e Kampionëve, në kohën kur kishte Mesin.

Sfidanti.al